Tedi

Deutsch (DE-CH-AT)Italian - ItalyJapanese(JP)Russian (CIS)Albanian-AL简体中文(中国)Español(Spanish Formal International)English (United Kingdom)


Papavrami, sërish në Shqipëri PDF Imprimer Envoyer


Tedi Papavrami vjen sërish në Shqipëri. Do ta nisë në Korçë
koncertin e tij për të vijuar më 7 prill në Akademinë e Arteve.
Mjeshtri i violinës vjen nga Franca edhe me petkun e aktorit.
Sapo ka përfunduar xhirimet e një seriali televiziv
- Admirina Peçi

 

Tingujt e violinës së tij së shpejti do të mbushin sallën e Akademisë së Arteve. Kanë kaluar kohë që ato tinguj nuk janë dëgjuar këndej Shqipërisë, ndoshta që nga koha kur Tedi Papavrami u rishfaq në Pallatin e Kongreseve si i ftuar ndër të ardhurit nga larg për të thënë “Dua më shumë Shqipërinë”. Së shpejti, ai do të jetë sërish i ftuar në Tiranë, këtë herë për një koncert në Akademinë e Arteve. Pikërisht ditën e hënë, më 7 prill, në orën 19:00, ai do të luajë në atë sallë krahas pianistit grek Janis Vakerelis. Lajmi është bërë i ditur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Ky koncert është pjesë e stinës koncertore “Allegreto Albania”, e cila parashikon në të vërtetë dy koncerte të Tedi Papavramit në Shqipëri. Koncerti i parë i tij do të jetë në qytetin e Korçës ditën e diel më 6 prill, e të nesërmen “Allegreto Albania” do ta sjellë Papavramin në Tiranë. Ky është edicioni i tretë i kësaj stine Koncertore në Tiranë. Ndërsa ardhjen me një koncert të tillë të violinistit shqiptar Tedi Papavrami në Shqipëri e ka bërë të mundur Komiteti organizues i “Allegreto Albania” i quajur CIDIM.

 Ky komitet italian i muzikës i seleksionon të gjithë artitët e njohur të Evropës të cilët marrin pjesë në këtë stinë koncertore. Nga një përzgjedhje e tillë është futur në këtë stinë koncertore edhe violinisti Tedi Papavrami. Në koncertin që ai do të luajë në Shqipëri do të luhen Sonata.5 in fa maggiore op.24 “La primavera” nga Bethoven, “Seconda sonata per violinë e pianoforte in re maggiore op.94” nga Prokofiev dhe “Sonata n.3 in re minore op.108” e Bramsit.

Jeta e një talenti të lindur

Lindur në Tiranë ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike. Në moshën 8- vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganini-t. Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion , qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova . Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Tedi Papavrami ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, Orchestre de Paris, etj. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogëood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj. Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman,etj.

Përtej muzikës, Tedi Papavrami ka shfaqur edhe mjaft prirje te tjera në art. Kësisoj një interes të madh për Tedi Papavramin paraqet letërsia. Madje në vitin 2000 shtëpia botuese franceze “Fayard” e emëron përkthyes zyrtar të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

Tedi mes Shqipërisë dhe Francës

Ishin vitet ’80, kur në Tiranë kishte nisur të flitej shumë për një djalosh me talent të jashtëzakonshëm dhe i pasionuar pas violinës. Ishte djali i Robert Papavramit, mësues muzike në liceun Jordan Misja, i quajtur Tedi Papavrami. Ai doli për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë në moshën 8 vjeç, gjatë një turneu të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve në Kosovë. Djaloshi i talentuar shkëlqeu për teknikën e lartë të interpretimit, sidomos në sonetat e Paganinit. Më 1982, në Tiranë kishte ardhur për të dhënë një koncert flautisti i njohur francez, Alain Marion. Në këtë vizitë në Tiranë ai pati rastin të dëgjonte interpretimin e violinistit 11- vjeçar Tedi Papavramit, i cili i bëri mjaft përshtypje. E pak muaj pas kësaj, djaloshi i talentuar fitoi një bursë nga qeveria franceze, me pikësynim ndjekjen e studimeve në Konservatorin e Parisit. Vetëm tre vjet më pas, nën kujdesin e profesorit të shquar Pierre Amoyal, Tedi Papavrami arriti të fitojë çmimin e parë në konservator duke interpretuar Kapriçiot e Paganinit. Veç, jeta në Paris nuk i dukej aq e lehtë djaloshit shqiptar të apasionuar pas muzikës. Në apartamentin ku banonte, ngjitur me atë të atasheut kulturor të Ambasadës Shqiptare, ai vuante shumë nga vetmia. Gjatë pushimeve të verës, Tedi u kthye në Shqipëri pranë prindërve. E në ato ditë pushimesh ai merr edhe një ftesë për në shtëpinë e Enver Hoxhës, për të luajtur me nipin e tij. E megjithatë kjo vizitë u shndërrua në një koncert të improvizuar nga djaloshi violinist. Fill pas këtij koncerti, ai mori edhe përgëzimet e rastit nga Enver Hoxha si edhe premtimin për të bërë diçka më tepër për atë djalosh të talentuar. Por megjithë këtë, Tedi Papavrami jetonte krejt i vetëm në Francë, e vetëm kohë më vonë, me ndërhyrjen e Nexhmije Hoxhës, e ëma e tij mundi të shkojë e të bashkohet me të në Paris, më 1983. Ndërsa babai i tij, Roberti, nuk mundi të shkonte të jetonte në Paris, të paktën për rreth dy vjet. Në vitin 1985 çuditërisht edhe atij iu dha viza për një vizitë në kryeqytetin francez. Tashmë e gjithë familja e tij u vendos në Francë ku kërkoi edhe strehim politik. Sidoqoftë në Shqipëri kjo nuk mund të kalohej në heshtje. Ndaj njerëzve të tjerë të mbetur në Shqipëri u morën masa të rrepta e shtëpia e tyre, një vilë e bollshme në një nga lagjet e kryeqytetit, u rrafshua me pretekstin se, aty do të ndërtohej një pallat banimi me kontribut vullnetar. Dhe vetëm vite më vonë, Tedi Papavrami mundi të vinte në Shqipëri. Ishte viti 1993, kur Tedi Papavrami erdhi në Shqipëri për të dhënë disa koncerte. Ai është shprehur se për Shqipërinë ruan kujtime të mjegullta. Në fillim janë kujtimet e një fëminie plot studime por edhe të lumtur, sidomos gjatë pushimeve të verës kur shkonte në një fshat të Himarës. Ishin po ashtu mjaft tërheqëse edhe daljet në gjah ditëve të dielave, si edhe shëtitjet me motoçikletë me të atin. Por Tedi ruan edhe kujtimet e një shoqërie ku, njerëzit bëheshin ziliqarë për një arritje të fqinjit, të një sistemi politik ku, askush nuk e ndiente vehten të sigurt po qe se binte tepër në sy. E megjithë këto ai tani e ndien veten francez edhe pse vazhdimisht qëndron i ndieshëm ndaj ngjarjeve në vendin e tij të lindjes. Dhe me kalimin e kohës, distanca dhe hendeku midis tyre, nuk pushojnë së rrituri ...Ndërkohë, aktualisht, prindërit e Tedit jetojnë në Gradinjan. Është një qytezë e gjelbërt dhe e qetë në perëndim të Bordosë. Aty, i ati, Roberti, drejton një shkollë violine për fëmijë.

Papavrami, edhe aktor

Kishte kohë që merrej me xhirimet e një filmi francez. Pa u ndarë për asnjë çast nga violina, Tedi Papavrami edhe këtu shfaqet si violinist. Xhirimet e filmit “Les Liaisons Dangereuses” tashmë sapo kanë përfunduar. Mësohet se në të vërtetë “Les Liaisons Dangereuses” është një serial televiziv, ku Tedi Papavrami luan në një nga seritë e tij, dhe ku përveç aktorit është edhe violinist. Në “Les Liaisons Dangereuses” Papavrami luan rolin e danceny, përkrah Catherine Deneuve, Nastassja Kinski, e Ruppert Everett. Ky film do të shfaqet në Francë në muajin nëntor të këtij viti. Kjo seri ku luan violinisti shqiptar Tedi Papavrami është e përbërë prej tre filmash seicili nga një orë e tridhjetë minuta dhe do të shfaqet në kanalin “TF1”.

 
Nous avons 93 invités en ligne
AccueilPresseInterviews /  Papavrami, sërish në Shqipëri
Enregistrement
Site Officiel © 2017. Tedi Papavrami.
LOGO-WICFOND-NOIR

Zephir-2010 © Web Informatique Créative

Enregistrement

*
*
*
*
*

Les champs marqués d'un (*) sont obligatoires.